Kultivimi i kanabisit, Prokuroria: Grup kriminal në Kurbin

22/11/2016 00:00

Një grup i strukturuar kriminal është zbuluar nga Prokuroria për Krime të Rënda që kultivonte lëndë narkotike në zonat e Kurbinit, me qëllim trafikimin jashtë territorit të Shqipërisë.

Mësohet se nga hetimi është arritur të identifikohen dhe arrestohen organizatorët e këtij grupi, të cilët dyshohet se bashkëpunonin edhe me një punonjës policie të zonës, i cili gjithashtu është arrestuar gjatë veprimeve të zhvilluar mbrëmjen e së hënës.

Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në korrik 2015, në bazë të materialeve të përcjella nga ana e Prokurorisë së Kurbinit. Në bazë të veprimeve proceduriale, Prokuroria për Krime të Rënda siguroi informacione të mjaftueshme, në bazë të të cilave grupi kriminal kishte bashkëpunimin e një punonjësi policie, i cili kishte për detyrë të njoftonte nëse zhvilloheshin operacione policore anti-kanabis në atë zonë. Për këtë arsye, Prokuroria angazhoi në hetim edhe Shërbimin për Çështje të Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme.

Mësohet se shtetasi Lefter (Luftetar) Nelaj, ka mbjellë dhe kultivon parcela me bimë narkotike në zonën e Malësisë së Kurbinit. Rezulton gjithashtu se ai është përfshirë në kultivimin e kësaj bime edhe në ambjente të mbyllura, ku sigurohet kultivimi në kushte artificiale (ndriçim dhe ngrohje me llampa).

Si rezultat i hetimeve të kryera, është provuar se shtetasi Lefter Neli ka organizuar dhe krijuar një mekanizëm, i cili bën të mundur dhe krijon të gjitha kushtet e përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e malësisë së Kurbinit. Po ashtu, nga hetimi rezulton se, për këtë aktivitet, ai ka marrë sigurinë se ajo nuk do të cënohet nga forcat e policisë së komisariatit të Kurbinit. Po sipas hetimit, grupi kishte të siguruar edhe tregtimit të lëndës narkotike pas procesit të përpunimit.

Personat e vënë në pranga nga policia janë shtetasit: Luftar Nelaj, Hashim Nelaj, Elton Haxhia, Bashkim Kodra, Zan Kasmi (punonjës policie), Sami Balloku (arrestuar më parë në flagrancë me lëndë narkotike), si dhe Aldo Xhaferri (arrestuar më parë në flagrancë me lëndë narkotike).

Top Channel