Dita e Rinisë, në Tiranë do të hapet zyra rajonale e bashkëpunimit

22/11/2016 00:00

Në Shqipëri do të zhvillohen 26 aktivitetet me rastin e 26-vjetorit të Ditës së Rinisë. I pari ishte aktiviteti “Dialogu i guximshëm” ku disa anëtarë të kabinetit qeveritar iu përgjigjën edhe disa prej kërkesave të të rinjve.

“Për të 26 ditët e aktiviteteve tona dita më kulmore do të jetë data 8 dhjetor, ditë të cilën ne do të celebrojmë për herë të parë hapjen në Shqipëri të Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor në 6 vendet e Ballkanit”, deklaroi ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bendi Klosi.

“Ministri Klosi foli me disa nga sfidat që ju përballeni dhe një pjesë të mirë të iniciativave të cilët do të operacionalizohen në Shqipëri dhe unë shpresoj që do të kemi një debat të guximshëm, por jo për çështje personale”, tha Ditmir Bushati, ministër i Punëve të Jashtme.

Ministria e Kulturës do të financojë edhe disa projekte për të rinjtë.
 
“Bashkë me ministrin Klosi kemi rakorduar që të gjitha projektet artistike dhe kulturore që mbështet Ministria e Kulturës të jenë kryesisht për iniciativa të reja në fushën e historisë, kulturës dhe artit. Kjo thirrje hapet në datën 1 dhjetor”, u shpreh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Top Channel