Veliaj: Vazhdojmë investimet në çdo lagje të Tiranës

18/11/2016 00:00

Qytetarët e Tiranës të cilët hasin një problem me furnizimin me ujin e pijshëm të telefojnë në linjën falas të telefonit të vendosur nga bashkia e Tiranës. Kreu i bashkisë Erion Veliaj ka inspektuar investimin e ri të ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit në njësinë administrative nr. 9.

“Njësia 9 po sheh disa nga investime madhore, siç janë Bulevardi i Ri. Por, është shumë e rëndësishme që përtej këtyre veprave strategjike, të shkojmë edhe në nivel kapilar. Kjo është ajo që po bëjmë sot. Po shkojmë  në nivel kapilar në të gjitha lagjet, kryesisht të krijuara pas viteve ’90, që do të thotë se në një pjesë të madhe rrjetet kanë qenë informale. Kjo bën një formalizim të rrjeteve. Dua t’i ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë me ndërmarrjen tonë të ujësjellësit. Shumë prej tyre raportojnë te “Tirana ime”, që është një aplikacion ku njerëzit raportojnë problemet. Kemi një linjë 24 orë të telefonisë, e cila është falas – 0800 44 88 – për të gjithë qytetarët që kanë një problem me ujin, që kanë një nevojë apo kur si qytetarë të përgjegjshëm hasin një tubacion që është dëmtuar apo një pjesë rrjeti që ka nevojë për vëmendje. Është një mundësi se si ata vetë ruajnë investimet. Ujësjellësi është edhe pronë e qytetarëve të Tiranës, edhe pse administrohet nga Bashkia dhe në qoftë se të gjithë sillemi në mënyrë nikoqire, siç sillemi në shtëpitë tona me pasurinë publike që është uji i Tiranës, atëherë mund të kemi një menaxhim shumë më të mirë”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë vlerësoi se ky ka qenë një vit rekord për Ujësjellësin, pasi janë kryer 105 ndërhyrje dhe investime, ndërkohë që arkëtimet kanë qenë mbi 90%. Gjithashtu, kryebashkiaku sqaroi edhe punimet që po realizohen në zonën e Bregut të Lumit për të parandaluar përmbytjet në të ardhmen.

“Aktualisht po punojmë edhe në zonën e Bregut të Lumit, ku po shfrytëzojmë kohën e mirë pas shirave, për të prishur ndërtimet pa leje, për t’u kërkuar qytetarëve mirëkuptim. Do të garantojmë të drejtën e qytetarëve që duan të jetojnë në Tiranë, qoftë në banesat sociale, qoftë me bonus qiraje, qoftë me ndërhyrje në qendrat tona të emergjencave, por kurrsesi nuk do lejojmë që kjo pjesë e Tiranës të përmbytet për shumë pak banorë të papërgjegjshëm”, tha Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, u shpreh se falë këtij investimi, banorët e rreth 370 godinave do të kenë një cilësi më të mirë të furnizimit me ujë të pijshëm.

Top Channel