Hapet Circus Maximus, përfundon restaurimi i arenës së lashtë në Romë

16/11/2016 00:00

Shekuj më parë ka qenë mikpritësja e garave me karroca, e riteve fetare, dënimeve me vdekje e spektakleve teatrore. Dekadat e fundit ishte kthyer në vendin e grumbullimeve sportive, atyre muzikore e politike meqenëse mund të mbledhë me qindra vetë.

Tani, pas shtatë vitesh pune, krahu jugor i Circus Maximus në romë është restauruar krejtësisht. Ngrehina më e madhe e kompleksit monumental do të jetë me në e fund e arritshme për vizitoret.

Claudio Parisi Presicce, kryeinspektori i trashëgimisë kulturore të Romës thotë se arena 2.800 vjeçare ka qenë vendi ku janë zhvilluar disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së qytetit. Një prej legjendave më të famshme të cirkut të madh është ajo e rrëmbimit të sabinave.

Themeluesi i Romës, Romuli lejoi djemtë e rinj t’i zgjidhnin me forcë gratë e tyre në mesin e vajzave të fisit që jetonte në apeninet qendrore. Ky është gjithashtu vendi ku Neroni nisi zjarrin shkatërrues, që lejoi më pas rindërtimin e Romës nga e para.

“Puna që kemi kryer për ta afruar me publikun këtë pjesë të kompleksit arkeologjik përfshin ndërtimin e kalimeve të reja të cilat janë të sigurta dhe të përshtatshme edhe për personat me aftësi të kufizuara fizike. Jemi kujdesur ndër të tjera për ndriçimin dhe kemi instaluar kamera sigurie. Ka qenë një ndërhyrje komplekse që në fund i riktheu pamjen e merituar kësaj zone historike të Romës, të neglizhuar prej një kohë shumë të gjatë”, u shpreh Claudio Parisi Presicce, kryeinspektor i trashëgimisë kulturore të Romës.

Cirkut i është shtuar edhe një tarracë panoramike dhe disa vende të tjera të cilat lejojnë një pamje sa më të mirë të Arenës. Për publikun e gjerë, ai do të hapet në datën 17 nëntor.

Top Channel