Bie fitimi i bankave, 100 milionë $ fonde si garanci për kreditë e këqija

15/11/2016 00:00

Fitimet e bankave u përgjysmuan për nëntë muajt e parë të vitit për shkak të rritjes së kredive të këqija. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se deri në shtator fitimi total i sistemit bankar ishte rreth 6.5 miliardë lekë nga 11.6 miliardë që ishte në të njëtën periudhë të vitit parardhës.

Rënia e fitimit i dedikohet gati tërësisht rritjes së shpenzimeve për provigjone ose fondeve rezervë që bankat detyrohen të ngrijnë si garanci për kreditë e këqija.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar kreditë me probleme në shkallë kombëtare janë rritur me rreth 12.5 miliardë lekë ose gati 100 milionë dollarë.

E vënë përballë kësaj rritje, Banka e Shqipërisë duket se i ka detyruar bankat private që të sigurojnë në masën 100 për qind çdo kredi të keqe.

Si rezultat, në nëntë muajt e parë të vitit bankat janë detyruar të ngrijnë mbi 100 milionë dollarë fonde si garanci për të amortizuar kreditë me probleme. Krahasuar me një vit më parë kjo shifër është tre herë më e lartë dhe përbën shkakun kryesor që ka rrudhur fitimin e bankave.

Veç tkurrjes së fitimit, rritja e kredive me probleme është, sipas Shoqatës së Bankave, dhe një nga arsyet kryesore për rritjen e dobët të kredisë.

Sipas shoqatës, niveli i lartë i kredive me probleme rrit pasigurinë në treg, veçanërisht kur pjesa dërrmuese e kredive të pashlyera i përket bizneseve të mëdha, që janë dhe kredimarrësit më të mëdhenj.

Top Channel