Veliaj: Lirojmë hapësirat e zaptuara nëpër shkolla

10/11/2016 00:00

Kreu i bashksië së Tiranës Erion Veliaj është shprehur se do të lirohen hapësirat e zaptuara nëpër shkolla. Ai ka inspektuar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet shkolla e baletit, dhe nisja e punimeve për rikonstruksionin e saj.

“Kemi marrë disa propozime se si mund të bëjmë hapësirat më të bollshme. Do të na duhet të prishim disa ndërtime pa leje rreth e qark shkollës. Më vjen keq për këtë, por secili duhet ta mendonte që festa e ndërtimeve pa leje do të merrte fund një ditë dhe nuk mund të vazhdojë më shumë se 26 vjet. Madje, shumë ka zgjatur, ndaj dhe do të kërkojmë që të gjithë qytetarët që kanë zaptuar oborret e shkollave t’i lirojnë vullnetarisht. Nëse nuk do ta bëjnë këtë vullnetarisht, fadroma e bashkisë do ta bëjë këtë, por koha kur zaptojmë për të zgjidhur një interes të vogël të momentit duke zaptuar talentin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, ka mbaruar”, tha Veliaj.

Shkolla e Baletit do të jetë shumë shpejt në dispozicion të nxënësve që studiojnë në Tiranë. Në të studiojnë 226 nxënës të moshave 10-18 vjeç. Aktualisht, për shkak të gjendjes së mjeruar të godinës, nxënësit e kësaj shkolle po vijojnë normalisht mësimin në shkollën “Migjeni”.

Duke vlerësuar kontributin e kësaj shkolle në nxjerrjen e talenteve, kryebashkiaku Veliaj tha se bashkia dhe institucionet shtetërore mbajnë përgjegjësi për investimet që janë publike dhe që duhet të jenë me standardet më të mira.

Top Channel