Raportprogresi, Meta: Optimizëm dhe përgjegjësi. Fryt i angazhimit të të gjithëve

09/11/2016 00:00

Publikimin e progresraportit për Shqipërinë nga Komisioni Europian e ka përshëndetur edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke e cilësuar lajmin për rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit, si një lajm jashtëzakonisht pozitiv për të gjithë qytetarët e vendit.

Meta thekson se për arritjen e këtij lajmi kanë kontribuuar dhe janë angazhuar të gjithë faktorët politikë të vendit, por rikonfirmon se rekomandimi pozitiv ka ardhur edhe si rezultat i miratimit me konsensus në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, që i hapën rrugë ligjeve të tjera të Reformës në Drejtësi.

Sipas Metës, dita e sotme sjell shumë optimizëm, por njëkohësisht sjell edhe shumë përgjegjësi për klasën politike të vendit. Sa i përket Reformës në Drejtësi, ai e konsideron si një nga sfidat kryesore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, ndërsa për “vetting”-un shprehet me siguri se është një proces që do të ndodhë së afërmi.

Top Channel