Afrikanja që voton Trumpin

08/11/2016 00:00

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara, drejtori i Informacionit Sokol Balla intervistoi dy femra që ndodheshin në një qendër votimi, aty ku sot votohet për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Amerikës.

Njëra prej zonjave quhej Valentina Nghiwete, me origjinë nga Namibia, e cila vetëm një vit më parë kishte marrë nënshtetësinë amerikane, ndërsa zonja tjetër quhet Lisa Martin. E veçanta e kësaj interviste ishte se, edhe pse afro-amerikane, pra një emigrante, ndryshe nga tradita, ajo shprehu mbështetjen e saj për Donald Trump dhe jo demokraten Hillary Clinton.

Lisa Martin: Kur re në dashuri për herë të parë me Trump?
Valentina Nghiwete: Rashë në dashuri për herë të parë në shkurt, ditën e Shën Valentinit.

Sokol Balla: E vetmja gjë që duket se ju bashkon me votuesit e Trump duket se është konservatorizmi në çështjet e besimit?

Valentina Nghiwete: Po, jam kristiane. Jam shumë konservatore, edhe kjo është konservatore.
Lisa Martin: Po po, duket sa konservatore jam. Në fakt kjo është një vajzë shumë e mirë.

Sokol Balla: Si u njohët ju të dyja?

Lisa Martin: Disa vite më parë në punën time. Unë nuk është se ndjek ndonjë besim të caktuar dhe jam një fanse e Hillarisë për shkak të vlerave që ajo ka.
Valentina Nghiwete: Afroamerikanët, veçanërisht emigrantët, thjesht votojnë demokratët se kështu është kthyer në traditë. Ata nuk i japin asnjëherë mundësinë që të shohin nga alternativa tjetër.
Lisa Martin: Po, jam dakord me këtë.

Sokol Balla: Fakti që mund të shihesh si person, që për shkak të traditës që përmende mund të shihesh si votuese e sigurtë e demokratëve, a të shqetëson?

Valentina Nghiwete: Më fyen, por nuk e di… Kur pashë për herë të parë CNN-in, po ndryshoja kanalet, dhe Hillary shfaqet si një ëngjëll, ndërsa Trump është ky njeriu i lig, nuk e duroj dot këtë…

Sokol Balla: Në rregull, por nuk mund të thuash që Trump është një ëngjëll apo jo?

Lisa Martin: Zoti Trump… Hillary dhe zoti Trump… Unë jam pro partive të treta, kam qenë e pavarur, madje në fillim mbështeta Bernie Sanders. Më pas po konsideroja dhe Gary Johnson, pastaj e kuptova që ai nuk ka eksperiencën e duhur dhe aftësinë për të qenë president për çështje ndërkombëtare.

Sokol Balla: Si do të ndiheshe nëse Hillary do të humbiste nesër?

Lisa Martin: Unë do të gjeja një burrë europian dhe do të shkoja të jetoja diku në Europë. Unë jetoj 4 blloqe larg Shtëpisë së Bardhë dhe aty ku jam, kam hotelin e Donald Trump 8 blloqe larg. Tani imagjinoni si do të ishte jeta ime duke pasur Trumpin 4 blloqe më afër. Preferoj që ai të mbetet një biznesmen dhe personazh televiziv i famshëm.

Sokol Balla: Faleminderit që ishit me mua.

Lisa Martin: E dua shumë Shqipërinë, kam shumë miq shqiptarë dhe do të doja të vija një ditë. Shpresoj për të mirën e miqve tanë në vende të tjera dhe të mund të kemi Hillarynë nesër presidente…

Top Channel