Naim Muha, ish-komandant në ishullin e Sazanit gjatë kohës së regjimit komunist, kishte një ëndërr që sipas tij ishte tepër vonë që të realizohej. Por stafi i emisionit “Dua të të bëj të lumtur” ka treguar se ëndrrat mund të bëhen realitet.

Pikërisht ditën e ditëlindjes, prezantuesja Arbana Osmani e ka takuar zotin Muha teksa konsumonte një kafe me dhëndrin e tij dhe i ka mundësuar atë që ai nuk do ta mendonte kurrë.

Përmes një helikopteri, ish-komandanti ka vizituar ishullin e Sazanit, ku gjatë kohës së shërbimit ushtarak kishte kaluar 15 vjet. Sapo ka shkelur në ishull, ai ka shprehur emocionet e tij, duke kujtuar kohën e kaluar në të dhe rigorozitetin në zbatimin e detyrës.

Por përveç shërbimit ushtarak, zoti Muha, sot në të 70-at, ka një lidhje të veçantë me Sazanin edhe për një fakt tjetër të rëndësishëm, 4 fëmijët e tij që kanë lindur atje.

Momenti më prekës për të ka qenë në fund të shëtitjes, kur ka gjetur përpara familjarë dhe të afërm, të cilët kishin mbërritur në ishull për të qenë pranë tij.

Top Channel