Bullgaria zgjedh të dielën presidentin e ri dhe kursin, euroatlantik ose moskovit

04/11/2016 00:00

Bullgarët votojnë të dielën në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ku dy kandidatët me mundësitë më të mëdha të avancimit janë Tsetska Tsacheva, e qendrës së djathtë me një qëndrim të theksuar pro BE-së dhe NATO-s, si dhe ish-komandanti i Forcave Ajrore, socialisti Rumen Radev, që kërkon marrëdhënie më të mira me Moskën.

Tsacheva e partisë në pushtet “GERB” e mbështeti fushatën e saj tek ideja se Bullgaria duhet t’u qëndrojë angazhimeve të bëra ndaj bllokut europian dhe aleancës atlantiko- veriore, në një kohë kur tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë janë ashpërsuar ndjeshëm. Mbështetja në popull nuk i mungon.

“Kam zgjedhur të mbështes Tsetska Tsachevan për presidente dhe nënadmiralin Manushev për zëvendëspresident. Janë njerëz seriozë dhe të balancuar, janë të aftë të fitojnë zgjedhjet dhe të jenë të suksesshëm në detyrën e tyre të mëpasshme”, tha Yordanka Fandakova, kryebashkiake e Sofjes.

“Është kandidatja më e përgatitur, ka shumë eksperiencë politike. Ajo mund të hyjë në Presidencë e të nisë menjëherë nga puna, pa qenë nevoja të kalojë në periudhën e ambientimit”, tha Alexander Lukanov, banor i Sofjes.

Rivali i saj i madh, Radev kërkon afrim të kursit me Moskën dhe heqjen e sanksioneve të BE-së, që sipas tij dëmtojnë të dyja palët. Bullgaria, dikur një vend satelit i bindur i Rusisë, iu bashkua strukturave euroatlantike në vitin 2000, pas një tranzicioni të dhimbshëm. Por shumë bullgarë, ende edhe sot vazhdojnë të ndiejnë një tërheqje të fortë kulturore dhe historike ndaj rusëve.

Top Channel