Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka përdorur konferencën e shtypit me homologun rus Sergei Lavrov për t’u përgjigjur ndaj deklarateve të përsëritura të presidentit turk Erdogan, me anë të të cilave ai kishte kontestuar Traktatin e Lozanës për disa ishuj të Egjeut, por edhe për disa territore të Greqisë kontinentale.

“Historia e zemrës greke arrin deri në Indi, por kufijtë e zemrës nuk janë kufijtë e së Drejtës Ndërkombëtare dhe respektimi i kufijve është detyrim”, ka thënë Kotzias, duke shtuar se historia duhet të shërbejë si shkollë dhe jo si burg.

Duke iu përgjigjur së njëjtës pyetje edhe kreu i diplomacisë ruse Sergei Lavrov, që ka përfunduar një vizitë dyditore në Athinë, i ka çuar mesazh Ankarasë zyrtare se Turqia duhet të respektojë të Drejtën Ndërkombëtare dhe marrëveshjet që rrjedhin nga ajo.

Nga ana e tij, Kotzias ka theksuar gjithashtu nevojën e kanaleve të komunikimit midis NATO-s dhe Rusisë dhe ekzistencën e një Europe që të përfshijë edhe Rusinë dhe jo ta ketë atë armike.

Në takimet e zhvilluara me presdientin grek Pavlopoulos dhe kryeministrin Aleksis Tsipras, që përmbanin edhe çështjet ndërkombëtare, sidomos luftën në Siri, Lavrov ka denoncuar sabotimin e përpjekjeve për një zgjidhje politike në këtë vend.

“Për fat të keq ka sabotazh kundër përpjekjeve për një zgjidhje politike, kundër rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për shkak se disa mbështesin ekstremistët që kërkojnë të rrëzojnë regjimin e presidentit sirian”, ka thënë shefi i diplomacisë ruse.

Lavrov ka kritikuar edhe SHBA se nuk respektuan marrëveshjen amerikano-ruse të armëpushimit, si dhe disa shtete të tjera që nuk i kanë ndërprerë të gjitha lidhjet me terroristët. Ndërsa përsa i përket Greqisë, ai ka falenderuar Athinën zyrtare për qëndrimin e saj në marrëdhëniet me Rusinë, BE-në dhe NATO-n.

Top Channel