SHBA, nipi i dy ish-presidentëve: George W. Bush mund të votojë Clintonin

02/11/2016 00:00

Pak javë më parë u bë e ditur se më i vjetri i “dinastisë Bush” në Shtetet e Bashkuara, George H. W. Bush, do të votonte për kandidaten demokrate Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit.

Ndërkohë, mbrëmjen e së martës, nipi i ish-presidentit George W. Bush deklaroi për “Associated Press” se, edhe xhaxhai me të gjitha gjasat do t’i bashkohet gjyshit të tij, duke mos votuar një republikan në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Komisioneri për çështjet e Tokës në Teksas, George P. Bush e bëri këtë koment teksa fliste përpara një mitingu të vogël me republikanët në San Marcos të Teksasit. Aty ai konfirmoi se të dy ish-presidentët pritet të votojnë për ish-Sekretaren e Shtetit, në ditën e shumëpritur të votimeve, duke refuzuar mbështetjen e manjatit kontroversial të pasurive të paluajtshme, Donald Trump.

I pyetur më vonë për të sqaruar komentet e tij, George P. Bush tha se ai thjesht po “spekulonte” dhe se nuk mund të thoshte me siguri sesi do të votonin xhaxhai dhe gjyshi i tij. Në shtator, ishte “Politico” që raportoi se George H. W. Bush po planifikonte të votonte Clintonin, duke iu referuar një tjetër zëri familjar, Kathleen Kennedy Toënsend, vajzës së të ndjerit Robert F. Kennedy.

Edhe pse asnjë prej dy ish-presidentëve nuk e ka shprehur haptazi mbështetjen për Hillary Clinton, heshtja e tyre për të mbështetur kandidaturën republikane në këto zgjedhje ka nxitur spekulime të shumta.

Trump, i cili gjatë rrugës për të siguruar nominimin e republikanëve sfidoi dhe mposhti edhe Jeb Bushin, gjatë mitingut në Karolinën e Veriut të mërkurën e një jave më parë tha për Clintonin:

“Këtu ishte një grua, bëri një fjalim 5 minutësh, shkoi në shtëpi dhe u shtri në krevat. Sinqerisht, ajo ka më pak energji sesa Jeb Bushi. Po e dyshoj këtë”. Deklaratë kjo që ka bërë të vërshojnë një lumë kritikash ndaj tij.

Top Channel