Në kërkim të vajzës së zhdukur, babai: Iku dhe la dy fëmijët

29/10/2016 00:00

Braktisja e dy fëmijëve të mitur nga një nënë 32-vjeçare dhe shfaqja e saj pas një viti e gjysëm ka tronditur familjen Kokomani në Hardhishtë të Shijakut.

Babai i saj, Skënder Kokomani, tregon për TCH arsyen që e shtyu të bëjë kallëzim në Policinë e Durrësit një vit e gjysëm pas ikjes nga shtëpia të vajzës së tij. Shfaqja e papritur e Idës, mund të vërë në rrezik sigurine dhe mirëqënien e mbesave të tij, që jetojnë me të atin në Tiranë.

“Mendoj se vajza ime është e trafikuar dhe duhet të gjendet, pasi ka lënë 2 fëmijë në rrugë… Vajza është kthyer prej një jave nga Italia. Ka tentuar të takojë dy vajzat. I shoqi nuk e ka lejuar dhe ato janë trembur. Unë nuk e di si do të sillet me pas ajo. Nuk na ka telefonuar, as takuar. Ka shkuar vetëm për të takuar vajzat dhe kjo na tremb”, rrëfen Skënder Kokomani, babai i 33-vjeçares.
 
Hyrje-daljet në kufi të vajzës së tyre, informacion që e kanë marrë nga hetimet e bëra në bazë të kallëzimit në Tirane nga bashkëshorti i vajzës, sipas babait, dëshmojnë papërgjegjshmërinë e së bijës në lidhje me vajzat. Ajo ishte në shtëpinë e babait, bashkë me 2 vajzat, që sot jane 12 dhe 8 vjeçe, kur u largua me një makinë. Pa thënë asgjë, duke lënë në lot vajzat dhe familjen e saj. Sipas Kokomanit, e bija është larguar me një bashkëfshatar të saj të cilin ai e ka denoncuar dhe në polici.

“Shteti duhet të vëjë dorë. T’i bllokohet pasaporta asaj dhe atij që e trafikon. Të gjehet kush e trafikon. Ajo ka lënë dy fëmijë në rrugë. I ka braktis dhe tani i kërkon. Unë si baba i saj nuk pranoj në asnjë mënyrë që ajo të marre vajzat, pas një viti e gjysëm që ka heshtur. Nuk është interesuar për to“, thotë ai..

Pas kallëzimit, policia po punon për gjetjen e 32-vjeçares që akuzohet për braktisjen e fëmijëve të mitur, ndërsa babai i saj pret nga autoritetet të zgjidhin këtë situatë pa rrezikuar mbesat, ndërsa nga e bija kërkon që të denoncojë trafikuesin ose të vuajë në burg pasojat e një veprimi të papranueshëm për familjen e tij dhe shoqërine.
 
“Nga shteti presim të zgjidhë këtë situatë, ndërsa nga vajza të denoncojë trafikuesin e saj, ose të arrestohet”, përfundon Kokomani.

Top Channel