Për Trump edhe armët, debate pas komentit të Walsh

27/10/2016 00:00

“Në 8 nëntor, do të votoj për Trump-in. Në 9 nëntor, nëse Trump-i nuk i fiton zgjedhjet, do rrëmbej mushqetën. Jeni me mua?”

Mesazhi në “Twitter” i ish-kongresmenit republikan nga Ilinoisi, Joe Walsh tingëllon si thirrje për revolucion të armatosur nëse Donald Trump nuk zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara. Kërkesës së CNN-it për një koment më të qartë mbi deklaratën e vet, Walsh iu përgjigj po përmes rrjetit social.

I pyetur se çfarë nënkuptonte saktësisht apeli polemizues, politikani tha : Të protestosh. Të marrësh pjesë në akte të mosbindjes civile. Të bësh atë që duhet për ta marrë vendin prapë.

Drejtuesi i fushatës për parandalimin e dhunës nga armët, Dan Gross, e dënoi ashpër mesazhin e ish-kongresmenit.

Retorika e dhunshme dhe e turpshme e Joe Walshit, u shpreh ai, nuk ka vend në diskutimin tonë politik. Walsh ka lëshuar kërcënime në “Twitter” edhe më parë. Pas të shtënave në Dallas këtë verë dhe vrasjes së policëve, ai do të shkruante: Tre policë qëllohen për vdekje, 7 plagosen. Kjo tani është luftë. Hap sytë Obama. Hap sytë nga ata tipar e jetëve me ngjyrë që vlejnë. Amerika e vërtetë të është vënë pas.

Në mbështetje të Trump-it ndërkohë, rreth 200 simpatizantë të tij amerikano-izraelitë u mblodhën në tarracën e një godine që sheh për nga muret e qytetit të vjetër të Jerusalemit për të shpallur aty mbështetjen ndaj kandidatit republikan, të bindur se po të zgjidhet president, ai do të jetë miku më i mirë i shtetit hebraik.

Top Channel