Profesorët kërkojnë reformën, pakti: Administratë më e vogël, paga më të larta

24/10/2016 00:00

“Pakti për reformizmin”. Kështu quhet platforma me 10 ide, që një grup profesorësh nga Universiteti Europian i Tiranës kanë propozuar për debat publik. Sipas tyre dokumenti fton në debat akademikët dhe elitën politike në gjetjen e një konsesnsusi mbarëkombëtar që shtron piketat për “Republikën e Re”, ndërtimin e një shteti modern me ekonomi të zhvilluar.

Selami Xhepa thotë se platforma propozon një program 10-vjeçar reformash jo populiste që hedhin premisat e Shqipërisë si një vend i zhvilluar

“Në këtë funksion në kemi identifikuar disa nga fushat e rëndësishme, qoftë në sferën e reformave politike, ekonomike dhe sociale, të cilat mendojmë se kanë nevojë të diskutohen dhe të debatohen jo vetëm thjesht midis akademikëve, por ne kemi ftuar dhe elitën politike, pra vendimarrësisht për të ndërtuar një lloj konsensusi që shkon përtej preferencave politike dhe ideologjive”, thotë Xhepa.

“Shqipëria e Re”, siç është pagëzuar në pakt, nis nga reforma në administratë.

“Administrata publike të jetë me e reduktuar në numër dhe me paga më të larta duke përcaktuar disa koefiçientë që do e bënin administratën tonë jo më pak të paguar se vendet e tjera”, shprehet Selami Xhepa.
 
“Që ky prosperitet të vijë, që njerëzit të jetojnë në mënyrë dinjitoze, që pagat të jenë të mira, që pensionet të jenë dinjitoze, duhet që ekonomia të rritet shpejt. Kështu që synimi ynë nëpërmjet këtij pakti është që të nxisim diskutimet rreth çfarë duhët të bëjë ekonomia shqiptare? Cila është ajo degë që duhet të tërheqë zinxhirin e rritjes ekonomike në Shqipëri?”, thotë Luljeta Minxhozi, zv.Rektore e Universitetit Europian të Tiranës.
 
Platforma nuk kufizohet vetëm tek ekonomia, por propozon edhe reforma kushtetuese.

“Sic mund të jetë krijimi i një dhome të dytë Parlamenti, sepse Shqipëria ka nevojë për stabilitet politikash dhe politika më cilësore dhe që shpesh dhomat e dyta e realizojnë këtë”, deklaron Minxhozi.

Paralelisht dokumenti propozon legalizimin e lobimit, reformimin e skemës sociale si dhe reformën e sistemit rregullator dhe fuqizimin e konkurrencës.

Top Channel