Ekuadori konfirmon: I kemi ndërprerë përkohësisht internetin Assange

19/10/2016 00:00

Pas publikimit të materialeve të ndjeshme, që mund të kenë ndikim në zgjedhjet presidenciale amerikane, Ekuadori pranon se i ka kufizuar aksesin në internet themeluesit të “Wikileaks”, Julian Assange, i cili prej vitit 2012 po qëndron si azilant politik në Ambasadën e këtij shteti në Londër.

Suedezi i druhet ekstradimit të tij në vendlindje, ku përballet me akuza për sulme seksuale. Ekuadori u kujdes të theksonte se, ky veprim nuk ishte rezultat i trysnisë së ushtruar nga Uashingtoni, ndërsa ky i fundit i mohon akuzat se i ka kërkuar Ekuadorit të ndalojë publimin e dokumenteve për kandidaten demokrate presidenciale, Hillari Clinton.

Në një deklaratë në gjuhën spanjolle, Ministria e Jashtme e Ekuadorit tha se vendimi i “Wikileaks” për të publikuar dokumentet mund të ndikojë në zgjedhjet presidenciale amerikane. Sipas saj, përgjegjësia për publikimin e tyre është vetëm e organizatës dhe Ekuadori nuk donte të ndërhynte në procesin elektoral.

“Në këtë kuadër, Ekuadori po ushtron të drejtën e kufizimit të përkohshëm të aksesit në sistemet e tij të komunikimit në ambasadën tonë në Londër”, thuhet në deklaratë.

Më herët, “Wikileaks” denoncoi se Ekuadori i kishte ndërprerë aksesin në internet Julian Assange, nga mbrëmja e së shtunës. Faqja e internetit ka publikuar së fundmi materiale nga fushata e Hillary Clintonit, përfshirë “e-mail”-e të vjedhura nga llogaria e drejtuesit të fushatës, John Podesta.

U zbuluan gjithashtu transkripte të fjalimeve të paguara, që ish-Zonja e Parë ka mbajtur për bankën e investimeve “Goldman Sachs” në të kaluarën, e që demokratja kishte refuzuar t’i publikonte.

Materialet treguan komunikimin tepër miqësor me ekzekutivët e bankave, diçka që sipas analistëve mund të rrisë shqetësimet mes demokratëve se Clinton e favorizon “Wall Street”-in. Vet drejtuesit e fushatës së ish-Sekretares së Shtetit e kanë cilësuar sulmin kibernetik si një vepër të Rusisë në dëm të demokratëve.

Top Channel