Vdekja misterioze në Shën Gjergj

15/10/2016 00:00

Arges Liçi dhe Dritan Buzo nga Tirana, u lanë nën arrest me burg për moskallëzim krimi dhe kultivim droge më shumë se një javë pas vdekjes misterioze të një shtetasi në Shën Gjergj.

Në një kohë që Prokuroria është në pritje të aktekspertizës që do të saktësojë nëse Besnik Pudja është vrarë apo vetëvrarë, një tjetër i dyshuar ka rënë në prangat e policisë për këtë ngjarje.

Halit  Dusha u arrestua nga komisariati numër 4 për të njëjtat akuza si dy të tjerët, ndërkohë që prokurori kërkoi arrest me burg derisa të vërtetohen dyshimet.

Prokuroria referoi në gjykatë rrëfimin e Liçit dhe Buzos të cilët kanë deklaruar se ishin punësuar nga i ndjeri për të ndërtuar një kapanon, ndërkohë që në mënyrë kontradiktore shtoi se në vendin ku u gjet viktima u sekuestruan si prova materiale edhe 3 rrënjë kanabis.

Dy të arrestuarit, të cilët janë vetëdorëzuar kanë dëshmuar se i ndjeri Besnik Pudja ka qenë duke luajtur me armën dhe se shpesh ai qëllonte në drejtim të vetes.

Por Prokuroria nuk është e bindur me këtë version dhe për këtë shkak ka regjistruar hetimet për dyshimet se Pudja mund të jetë vrarë.

Pas arrestimit të Halit Dushës, i arrestuari i tretë i kësaj dosjeje plot me engima, policia tha zyrtarisht se ai, së bashku me të ndjerin Pudja dhe disa persona të tjerë, dyshohet të jenë autorë të kultivimit të gati 3 mijë rrënjëve kanabis  në fshatin Urë Kollagjesh.

Por i ati i të ndjerit kërkoi gjatë një interviste për Top Channel që të zbardhet dosja, pasi sipas tij i biri ishte punëtor dhe jo kultivues.

Top Channel