Rimini, sekuestrohen drogë, armë, mjete lundruese dhe një laborator. 16 të arrestuar

05/10/2016 00:00

Një tjetër operacion kundër trafikut të lëndëve narkotike, të llojit marijuanë, kokainë dhe heroinë të sjella nga Shqipëria, është zhvilluar në qytetin e Riminit, rezultatet e të cilit janë dhënë një ditë më parë nga “Guardia di Finanza”.

Për operacionin e koduar “100%”, hetimet kanë qenë të gjata dhe janë nisur në vitin 2013, teksa vetëm tani çuan në pranga 16 persona dhe sekuestrimin e pasurive që arrinin një vlerë prej rreth 5 milionë eurosh. Mes tyre, përveç sasisë së madhe të drogave të ndryshme, janë edhe një laborator përpunimi droge, mjete lundruese, automjete, armë dhe municione.

Sa i përket operacionit të sotëm, ishte një gomome oqeanike ajo e bllokuar në veri të Otrantos nga motovedetat e “Guardia di Finanza”-s, me në bord 734 kilogramë marijuanë. Në mjetin lundrues u kapën 3 shtetas shqiptarë, të cilët aktualisht ndodhen të mbyllur në burg me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Operacioni nisi me zbulimin nga ajri të gomones, e cila u ndoq nga patrullat detare që vigjëlojnë në Kanalin e Otrantos. Forcat e rendit bëjnë të ditur se ky është operacioni i 10 i ngjashëm i kryer gjatë 3 muajve të fundit në zonë, ndërsa dy të tjerë me kapjen e sasive të mëdha të marijuanës janë regjistruar në tokë dhe jo në det.

Top Channel