Meta: Referendumi politizon. Për mbetjet, të zbatohet ligji për kontrollin

30/09/2016 00:00

Ilir Meta e mbrojti miratimin e ligjit për importin e mbetjeve, duke lënë të kuptohet se nuk do të mbështesë kërkesën e 30 deputetëve të opozitës për referendum.

“Për sa i takon çështjes së referendumit, si çdo nismë qytetare ne e respektojmë, por nismat partiake mendojmë se e politizojnë debatin veçse më shumë”, tha Meta.

Duke mbrojtur ligjin për importin e mbetjeve, Ilir Meta shmangu komentet për pjesëmarrjen në protestë të shtunën të deputetit të LSI-së, Përparim Spahiu, i cili është kandiat për kryetar të LSI-së.

“Është e drejtë e zotit Spahiu, aq më tepër që ka nisur edhe ai fushatën e tij. Tashë edhe njëherë se kam kërkuar sot si nga ministri i Drejtësisë, edhe nga ai i Mjedisit, si dhe në dialog me shoqërinë civile të shikojnë të gjitha hapësirat për të realizuar një monitorim 100% ekstrem në zbatim dhe në respektim të këtij ligji”, deklaroi Meta.

Ndërkohë, presidenti Nishani ka paralajmëruar një takim me shoqërinë civile, pas të cilit do të marrë një vendim për kthimin ose jo të ligjit për importin e mbetjeve.

Top Channel