Indi-Pakistan, tensionohet situata në Kashmir. Sulme indiane ndaj militantëve pakistanezë

29/09/2016 00:00

Ushtria indiane ka ndërmarrë “sulme kirurgjikale” ndaj militantëve të dyshuar përgjatë kufirit “de facto” me Pakistanin, në Kashmir. Operacioni synon të parandalojë sulmet e planifikuara nga militantët me bazë në Pakistan, bëri të ditur një zyrtar.

Ai shtoi gjithashtu se “nga sulmet janë shkaktuar disa viktima mes terroristëve, si dhe mes atyre që janë përpjekur t’i mbështesin ata”. Pakistani vet mohon që India të ketë kryer sulme, ndërsa bën të ditur se dy prej ushtarëve të saj janë vrarë nga minat përgjatë kufirit.

“Nocioni i sulmeve kirurgjikale ndaj të ashtuquajturave baza të terroristëve është thjesht një iluzion, i pretenduar qëllimisht nga India për të krijuar efekte false”, bëri të ditur ushtria pakistaneze përmes një deklarate.

Pakistani njoftoi gjithashtu se ushtarët e tij kanë humbur jetën në një shkëmbimzjarri të “paprovokuar” përgjatë linjës së kontrollit, që ndan rajonin e pretenduar nga të dyja shtetet.

Pretendimi territorial mes Indisë dhe Pakistanit mbi Kashmirin me shumicë myslimane vijon prej dekadash, por tensionet e ulura deri më tani janë përshkallëzuar në fillim të këtij muaji, kur një sulm militantësh ndaj një baze ushtarake indiane në Kashmir mori 18 jetë ushtarësh.

India fajësoi për atë sulm Pakistanin, por ky i fundit mohon të ketë pasur dorë në të.

Por pse ndodhi tani ky sulm? Qeveria e kryesuar nga partia “BJP” e Narendra Modit erdhi në pushtet me premtimin se do të mbante një linjë të ashpër ndaj Pakistanit, ndaj dhe ka qenë nën një presion të jashtëzakonshëm për hakmarrje, pas sulmit të 18 shtatorit ndaj bazës ushtarake në Uri, në Kashmirin e administruar nga India. Ai sulm rezulton të jetë edhe më vdekjeprurësi i këtij lloji ndër vitet e fundit.

“Siguroj kombin tim dhe ata që fshihen pas këtij sulmi se nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, deklaroi Modi vetëm pak orë pasi baza u sulmua.

Kohët e fundit ka pasur shumë dyshime mbi atë nëse India duhet të vijojë me doktrinën e saj të “vetëpërmbajtjes strategjike” kundrejt Pakistanit. Sulmi i tanishëm shihet nga shumë vëzhgues të jashtëm si me qëllim për të zbutur paksa elektoratin e brendshëm të zemëruar, si dhe për të dhënë mesazhin se Modi është një udhëheqës i fuqishëm.

Top Channel