Pagat dhe pensionet, Ahmetaj: Vendim politik, mundësitë financiare ekzistojnë

26/09/2016 00:00

I ftuar në Top Story këtë të hënë, ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha përballë Sokol Ballës se mundësitë financiare për rritjen e pagave dhe të pensioneve ekzistojnë.

Ai doli garant se edhe në vitin e ardhshëm do të ketë një tepricë dhe ulje të borxhit, ndërsa shtoi se për rritjen e pagave dhe pensioneve mungon vetëm vendimi politik, jo fondet.

“Reformat kanë funksionuar, financat janë të shëndosha dhe nëse do të ketë vendimarrje për të rritur pagat dhe pensionet, mundësia financiare është. Por i takon kryeministrit dhe aleancës që ta gjykojnë këtë. Kuadri makro i vitit të ardhshëm është i shëndetshëm dhe i garantuar, garanton ulje borxhi, balancë primare pozitive sërish dhe jep mundësi të plotë për të financuar të gjitha reformat, atë në drejtësi, të ujit madje edhe Rrugën e Arbrit”, tha Ahmetaj.

Ministri foli edhe për rritjen dhe situatën ekonomike në përgjithësi. 

“Gjendja aktuale dhe rritja ekonomike është sukses dhe mbi të gjitha është sakrificë që qytetarët dhe sistemi ka kaluar për të ardhur në këtë shifër të konsoliduar nëpër ato reforma që kanë qenë të dhimbshme, por shumë të domosdoshme për shkak të situatës së tmerrshme të trashëguar në 2013. Situata ishte skandaloze me një rritje që po zhytej drejt negatives. Një situatë makroekonomike skandaloze”, u shpreh ai.

Ahmetaj tha se janë 190 mln dollarë më shumë të grumbulluara në buxhet në 8 muajt e 2016 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ministri shtoi se papunësia ka rënë, megjithëse tha se reformat për uljen e saj duhet të jenë të vazhdueshme.

Top Channel