Rriten sërish kreditë e këqija, shqetësohet BSH

25/09/2016 00:00

Banka e Shqipërisë deklaroi se rreziku i kreditimit në ekonomi u rrit në gjysmën e parë të këtij viti, për shkak të zgjerimit të kredive më probleme.

Në raportin e fundit të stabilitetit financiar, Banka raporton se krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar kreditë e këqija u rritën me rreth 12.5 miliardë lekë duke prekur vlerën 119.3 miliardë lekë.

I shprehur si raport ndaj totalit, treguesi i kredive të pashlyera u rrit nga 18.2 përqind që ishtë në dhjetor në rreth 20 përqind në fund të gjashtëmujorit të parë, ndërkohë që treguesi ka vazhduar të rritet edhe në korrik.

Kreditë e këqija u ulën ndjeshëm vitin e kaluar si rezultat i fshirjes masive të kredive të vjetra nga bilancet e bankave. Kjo bën që pavarësisht rritjes në gjashtëmujorin e parë, krahasuar me qershorin e 2015, treguesi i kredive të këqija të jetë thuajse në të njëjtat nivele.

Banka e Shqipërisë vëren se sistemi po përballet me një fluks të ri të kredive të pashlyera, që sipas saj sinjalizohet nga zgjerimi i konsiderueshëm i huave nënstandarde. Kjo është klasa e parë e kredive të këqija, e cila përfaqëson huatë që sapo kanë kaluar 90 ditë vonesë në shlyerjen e këstit. Statistikat e detajuara tregojnë se e gjithë rritja e huave me probleme ka ardhur nga biznesi, ndërsa individët janë më korrekt.

Në raportin analitik, Banka Qendrore konstaton se rritja e kredive me probleme në gjysmën e parë tregon për vështirësinë për vështirësinë që ka procesi i zgjidhjes së tyre dhe nevojën për monitorimin nga afër të këtij procesi.

Megjithatë, ajo pret që në afatmesëm kurba e kredive të këqija të vijë në rënie.

Top Channel