Lu: Qeveritë Rama dhe Berisha, probleme me narkotrafikun

23/09/2016 00:00

Ambasadori amerikan Donald Lu u prononcua për herë të parë në lidhje me debatin që ka mbërthyer politikën në lidhje me kultivimin e hashashit në Shqipëri.

Disa segmente të rëndësishme të politikës, si në opozitë, apo edhe në maxhorancë, si ish-kryeministri Berisha apo edhe kryeparlamentari Meta, i kanë kërkuar faktorit ndërkombëtar, duke nënkuptuar ambasadorin amerikan, që të prononcohet në lidhje me këtë çështje.

Dhe Lu zgjodhi t’u japë përgjigje gjatë një bashkëbisedimi me studentë të Gazetarisë që ndjekin një kurs për gazetarinë investigative. Ambasadori tha se, si qeveria Rama, ashtu edhe ajo Berisha kanë probleme me trafikimin e drogës dhe sipas tij, ka politikanë që përfitojnë nga ky trafik në Shqipëri.

“Pyetja që është bërë disa herë në media është nëse situata sot është më keq se sa ishte nën qeverinë e kaluar. Dhe reagimi im është se mendoj se të dyja, qeveria e kaluar dhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës dhe ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës. Dhe mendoj se ia vlen të sjellim në mend që e dimë se ka një numër anëtarësh të Parlamentit, ka kryebashkiakë në Shqipëri dhe ka pasur kandidatë për kryebashkiakë që kanë pasur dënime për trafik droge në shtete anëtare të BE-së”, deklaroi Lu.

Komuniteti ndërkombëtar, tha diplomati amerikan, duhet të bëjë më shumë për këtë çështje, për të mos lënë këtë fenomen të krijojë probleme si korrupsioni, krimi i organizuar apo vartësisë nga droga.

Ai tha se Agjencia për luftën Kunder Drogës në SHBA, DEA, po punon ngushtë me Policinë e Shtetit për të luftuar trafikimin e drogës, me fokus të veçantë te trafikimi i heroinës dhe kokainës.

Top Channel