Vdekja në maternitet, Beqaj: Hetim administrativ. Sistemi funksionoi

22/09/2016 00:00

Pothuajse një javë më parë, Aida Çakja, një nënë 35-vjeçare i drejtohet maternitetit, ku pasi humbet fëmijën humb edhe vetë jetën. Kjo ka nxitur reagimet e opinionit publik. Çfarë nuk funksionoi këtë herë? A funksionoi sistemi? A janë thënë të gjitha të vërtetat dhe kush do ta mbajë përgjegjësinë për këtë rast?

Për këto dhe të tjera pyetje, këtë të enjte në Top Story ishte vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ai tha përballë Sokol Ballës së dikasteri që ai drejton do të nisë menjëherë një hetim administrativ për rastin në fjalë, por këmbënguli se sistemi funksionoi.

“Ne ende nuk e dimë të saktë se pse ka ndodhur kjo. Kanë humbur jetën nga një hemoragji e madhe, që nuk u identifikua në kohë”, tha Beqaj.

Ministri hodhi poshtë deklaratat e vëllait të të ndjerës, Fatjon Omuri që tha se e motra është sorollatur nga mjekët.

“E ndjera është transportuar me ambulancë në të tre spitalet dhe në vlerësimin tonë nuk është sorollatje. Mjekët kanë mënjanuar një aktivitet lindjeje dhe shenjat ishin të tilla që dyshimi i parë çonte tek parainfarkti. Më pas, nga QSUT është përjashtuar edhe kjo dhe është dyshuar për probleme me mushkërinë. Tek Sanatoriumi kanë dyshuar për hemoragji të brendshme dhe duke qenë se ajo ishte në muajin e 9, e nisën për në maternitet”, deklaroi ministri.

Ministri tha se rasti në fjalë është shumë i rrallë dhe i vështirë për t’u diagnostikuar saktë edhe në sistemet shëndetësore më të përparuara.

Përtej mungesës së pajisjeve, që ministri tha se po përmirësohet gradualisht, problematikë madhore me të cilën po përballet sot shëndetësia është mungesa e burimeve njerëzore.

“Kemi mungesë specialistësh sepse në mandatin e parë, për 4 vjet nuk u hapën specializimet e mjekësisë. Qeveria e mëparshme kështu e mendoi, ndaj problemi i burimeve njerëzore ëshë një nga problemet më të mprehta që kemi sot”, tha ai.

Ministri tha se treguesit në shëndetësi po përmirësohen dhe njerëzit duhet t’i besojnë sistemit.

“Ajo çfarë ndoshta nuk bëjmë siç duhet nuk paraqesim shumë punën e mirë që bëjmë. Treguesit janë të tillë që po përmirësohen dhe njerëzit duhet t’u besojnë sistemit. Rezultatet janë shumë të prekshme dhe të ndjeshme. Jetojmë në një realitet ku ne nuk komunikojmë gjënë e mirë që po bëjmë”, tha Beqaj.

Top Channel