Mundësia e dytë, mbi 18 mijë vende bosh për maturantët

20/09/2016 00:00

Mbi 18 mijë kuota pranimi duke se do të jenë në dispozicion të maturantëve në raundin e dytë të aplikimit për maturantë që duan të ndjekin shkollat publike në vend dhe që nuk listuan fitues në raundin e parë.

“Sot është dita e fundit e regjistrimeve dhe në shifra paraprake janë rreth 16 mijë kandidatë që kanë shprehur vullnetin për të qenë pjesë e universiteteve, kështu që na mbeten rreth 18 mijë kuota bosh që janë në dispozicion të të gjithë aplikantëve dhe fillon nga data 23 shtator e përfundon më 1 tetor”, thotë Rezana Vrapi, drejtore e AKP.

Në Universitetin e Tiranës janë rreth 70 përqind të vendeve bosh për raundin e dytë. Në Fakultetin Ekonomik, një ndër fakultetet më të kërkuara, kanë mbetur 920 kuota bosh pasi janë regjistruar 250 studentë, ndërkohe që kuotat e pranimit janë 1170. Në programet e Fakultetit Filologjik kanë mbetur 453 vende bosh pasi janë regjistruar vetem 177 studentë. Në Universitetin e Mjekësisë mbeten 92 vende bosh për raundin e dytë, ndërkohë që për Farmaci nuk është regjistruar asnjë student në raundin e parë duke bërë që të gjithë mundësitë të jenë në dispozicion për raundin e dytë.

Në datën 23 nis aplikimi i maturantëve për raundin e dytë. Maturantët duhet të bëjnë kujdes që të informohen për kalendarin e aplikimit sipas qarqeve, i cili është publikuar në faqen e Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

Top Channel