SHBA, 8 të plagosur me armë të ftohta në qendrën tregtare

18/09/2016 00:00

Të paktën 8 persona u plagosën, pas një sulmi me armë të ftohta në një qendër tregtare në shtetin amerikan të Minnesotës, ku mësohet se agresori u vra nga policia.

Sulmi ndodhi në zonën e St. Cloud, rreth 110 km në veriperëndim të Minneapolis dhe motivet për të janë ende të paqarta.

Mediet lokale amerikane raportojnë se agresori, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, bëri referenca fetare para se të vritej.

Policia amerikane tha se asnjë prej të plagosurve nuk është në rrezik për jetën. Mësohet se agresori u qëllua dhe u vra nga një oficer policie, që nuk ishte në detyrë, por që ndodhej në vendngjarje.

Mediet raportojnë se agresori ishte veshur me uniformën e një kompanie private sigurimi gjatë sulmit. Dëshmitarë okularë thanë se, ai pyeti të paktën një person nëse ishte mysliman, para se të sulmonte, ndërsa policia deklaroi se do të japë detaje për ngjarjen pas përfundimit të hetimeve paraprake.

Hetuesit shtuan gjithashtu se nuk kishin prova që të besonin se në incident ka të tjerë të përfshirë, veç agresorit të vrarë.

Top Channel