Pazari si destinacion turistik

17/09/2016 00:00

Studentë të Arkitekturës, Dizajnit, Marketingut dhe Inxhinierisë Kimike do të jenë pjesë e projektit për rindërtimin e Pazarit të Ri në sheshin “Avni Rustemi”. Ndërkohë që edhe produktet që do të tregtohen në këtë treg do të kenë një logo specifike të këtij tregu.

“Studentët e Ekonomikut dhe ata të Marketingut do të bëjnë studimin për të zhvilluar këtë plan menaxhimi. Studentët e Arkitekturës do të ndihmojnë në dizajnin dhe projektimin e ambienteve të brendshme. Ata të dizajnit do të merren me brandizimin dhe etiketimin e produkteve, pasi Pazari i Ri do të ketë një logo të veten”, tha Nevin Bilali, koordinatore e projektit.
 
Një vend të veçantë në këtë projekt do të zënë edhe produktet e artizanatit, si një forme atraksioni për turistët e huaj.

“Për ta bërë Pazarin e Ri një pol turistik shtohen edhe më shumë funksionet e tij. Ky shtim i funksioneve kemi menduar që të ndahet në zona. Do të kemi zonen e markatës së gjelbër, markatën e fruta-perimeve, mishit dhe peshkut, zona kreative dhe zona e artizanëve. Për të tërhequr turistë e për të pasur aktivitete ditën e natën kemi nevojë për këtë zonim të ri”, vijoi Bilali. 

Angazhimi i studentëve do të zhvillohet në formën e internshipit, mundësi e cila do t’u ofrohet studentëve të vitit të fundit, si praktikë studentore.

Top Channel