SPAK drejt konsensusit? Komisioni diskuton amendamentet

15/09/2016 00:00

Ndërkohë që Parlamenti vlonte me akuza dhe kundërakuza, amerikanët ishin bërë ndërmjetës mes shqiptarëve në Komisionin e Drejtësisë për të arritur një marrëveshje kompromisi për ligjin e Strukturës së Prokurorisë Antikorrupsion.

Ai rregullon funksionimin e Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave  Speciale, të cilat kanë për detyrë të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në një opinion me 31 faqe, Partia Demokratike e kishte konsideruar projektligjin si antikushtetues në 3 çështje kryesore, ku ngrinte shqetësimin e ndërhyrjes dhe kontrollit nga Qeveria të këtyre insitucioneve. Pas 4 orë diskutimesh teknike, palët kanë dalë me një konsensus pothuajse të plotë.

“Ne arritëm të zgjidhim pjesën dërrmuese duke gjetur dakortësinë e ekspertëve ndërkombëtarë të OPDAT dhe EURALIUS. Në konsultim me ta dhe me propozimet e bëra në Komision kemi gjetur zgjidhje në këto çështje”, deklaroi në përfundim të konsultimeve deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.

Konsensusi mungon vetëm për një nga shqetësimet kryesore të opozitës që lidhet me ndikimin e Qeverisë në emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të SPAK-ut.

“Praktikisht do të hiqnin rolin e organeve të kontrolluara nga ekzekutivi në fazën e kontrollit të emërtesave që shkojnë tek këto institucione”, shtoi Bylykbashi.

Është ende herët për të thënë që konsensusi do të rezistojë deri në fund, por ai u gjet dy javë pasi opozita nuk dha votat për ligjin e Vetingut dhe ende nuk ka marrë një vendim nëse do ta ankimojë atë në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel