Të dënuar nga ligji, të falur nga Zoti

12/09/2016 00:00

Zenun Luca u mbyll në burg pa mbushur ende 29 vjeç dhe tashmë që pret të lërë qelitë është 47 vjeç. Ai u shpall fajtor për vrasjen e efektivit Myftar Krashi, e ndodhur në fshatin Arras në vitin 1997, një krim i klasifikuar si hakmarrje.

Luca tashmë është kthyer në një mysliman të devotshëm me shpresën se Zoti do ta falë. “Gjeta ngrohtësinë më të madhe dhe iu përkushtova Islamit që të më falte për të gjitha veprimet që kisha bërë, për vrasjen dhe për të tjera”, thotë Luca.

Luca vuajti 18 vjet në burg dhe thekson se prej tyre mësoi maturinë. “Kam lëvizur gati në të gjitha burgjet, nga Peshkopia, Burreli, Peqini, kam ardhur në Vaqarr, në Fier, tek të gjitha. Ky është i fundit shpresoj. Kur të dal shpresoj të gjej ndonjë punë”, thotë ai.

Por një mesazh akoma më të madh, atë të tolerancës, e dhanë në burgun e Vaqarrit dy biznesmenë të besimit ortotodoks dhe katolik, të cilët investuan për të dënuarit drekën e Kurban Bajramit.

Ndonëse ata nuk pranuan të prononcohen, drejtori i përgjithshëm i Burgjeve nuk harroi t’i falenderonte, një fjalë kjo që përdoret pak në ambjentet e burgut.

“Gjej rastin të falenderoj Nikolinin, që është katolik dhe Dhimitrin, ortodoks, që me dëshirën dhe kontributin e tyre kishin realizuan këtë aktivitet të madh për ju”, tha Miklovan Kopani.

Top Channel