Panairi i Selanikut, Tsipras: Greqia ka kthyer faqe. Jo më një shtet i dobët

11/09/2016 00:00

Duke përuruar Panairin e 81-të Ndërkombëtar të Selanikut, kryeministri grek Alexis Tsipras ka deklaruar se Greqia, nga një vend që ishte gati të braktiste Eurozonën, tashmë ndodhet në fund të rrugës së saj të vështirë dhe po ndryshon imazh, duke u kthyer në një forcë që mund të luajë një rol kryesor në zhvillimet politike të Europës.

“Imazhi i Greqisë po ndryshon. Konferenca e parë euro-mesdhetare e mbajtur dje në Athinë dëshmon se ky ndryshim po ndodh. Greqia nuk është një shtet i pafuqishëm në Europë. Ajo është transformuar në një protagoniste të zhvillimeve politike në kontinentin e vjetër, me ndërhyrje të veçanta jo vetëm për çështjen greke, por edhe për drejtimet strategjike të Europës”, tha kryeministri grek Tsipras.

Tsipras ka bërë thirrje për rritje të investimeve në vend dhe ka paraqitur një udhërrëfyes me 5 pika për daljen e vendit përfundimisht nga kriza.

“Sot dua t’u kërkoj ndihmë investitorëve vendas dhe të huaj, për të përfituar nga mundësitë e biznesit dhe kuadri i favorshëm që ne ofrojmë, për sipërmarrje të shëndetshme. Investoni pa frikë dhe pa hezitim për ekonominë e Greqisë. Rreziqet kanë marrë fund përfundimisht”, tha më tej Alexsis Tsipras.

Ndërkohë, disa orë para fjalimit në sallën e Panairit në qendër të qytetit, ku më shumë se 5.000 policë kanë bllokuar për disa orë qarkullimin, rreth 10 mijë qytetarë, pjesëtarë të sindikatave të ndryshme dhe grupeve të majta, kanë protestuar pasditen e së shtunës duke hedhur parrulla kundër qeverisë dhe masave shtrënguese.

Top Channel