Bashkitë, 12 mld lekë borxhe; qeveria do të kërkojë shlyerjen

10/09/2016 00:00

Qeveria do detyrojë bashkitë që të shlyejnë 100 milionë dollarë borxhe të prapambetura brenda dhjetorit të vitit të ardhshëm.

Në letrën e mirëkuptimit që i ka dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ministria e Financave thotë se do i kërkojë njësive vendore që brenda këtij muaji të përgatisin planin konkret të shlyerjes përfshirë burimet financiare që do të përdoren.

“Qeveria nuk do të akordojë asnjë fond nga buxheti, për të shlyer këto borxhe. Ato do të përballohen nga të ardhurat e vetë bashkive”, thuhet në letër.

Një audit i kryer nga “Grant Thornton” me kërkesë të vetë qeverisë zbuloi se njësitë e pushtetit vendor kanë 12 miliardë lekë borxhe të vjetra ndaj biznesit apo enteve publike.

Shuma, e cila është sa 0.8 për qind e Prodhimit Kombëtar, është krijuar kryesisht para reformës së re administrative, por situata me financat e pushtetit vendor mbetet ende kaotike.

“Ne po përgatisim një ligj të ri, i cili do të disiplinojë financat vendore dhe krijon mekanizma ndërhyrje për bashkitë në vështirësi financiare”, vijon më tej letra e MF.

Borxhi prej 12 miliardë lekë i njësive vendore është fatura e dytë që qytetarët do të paguajnë për detyrimet e fshehta.

Dy vitet e fundit qeveria ka shlyer 54 miliardë lekë të tjera borxhe të buxhetit qëndror, që ishin krijuar para 31 dhjetorit të vitit 2013. Fatura u pagua përmes kredive që qeveria mori nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Top Channel