Masat për vitin e ri shkollor, Prefekti i Tiranës takon krerët e policisë

09/09/2016 00:00

Të martën e ardhshme nis viti i ri akademik. Për këtë arsye, Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi mblodhi në një takim drejtues të policisë së kryeqytetit të cilëve u kërkoi marrjen e masave për disiplinimin e trafikut në orët e mëngjesit.

“Ankthi i çdo qytetari, prindi, këto ditë është trafiku i rënduar, i cili shpesh bëhet shkak për vonesa”, tha Vorpsi.

Prefekti Vorpsi kërkoi edhe garancinë e institucioneve të tjera për furnizimin me ujë dhe energji të pandërprerë të gjithë institucioneve arsimore. Nga ana tjetër policia e kryeqytetit ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë.

“Do të ndalojmë të gjitha pijet alkoolike që tregtohen përreth njësive tregtare në afërsi të shkollave, si dhe nuk do të lejojmë asnjë pikë ambulante. Kemi pasur eksperiencë që këto janë vendgrumbullime të personave me precedencë kriminale, me tendenca armëmbajtje pa leje, përdorim narkotike, apo edhe tregtimin e tyre”, u shpreh Dimitraq Ziu, zv/drejtor i Policisë së Tiranës.

Ndërkohë Vorpsi vlerësoi edhe bashkinë e Tiranës për heqjen e fenomenit të mësimit me dy turne në territorin që administron.

Top Channel