Ahmetaj: Miratimi i FMN, lajm i mirë për ekonominë

01/09/2016 00:00

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka përshëndetur miratimin e këstit të radhës të kredisë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Ahmetaj thotë se ky miratim është një tjetër lajm i mirë për ekonomi dhe një përgjigjie për kritikat e opozitës.

“Sërish lajm i mirë për ekonominë shqiptare dhe një përgjigje e merituar për “kukuvajkat” që dëshirojnë vetëm skenarë të zinj për ekonominë e vendit, duke konfirmuar edhe njëherë plotësimin e të gjithë kritereve të përformancës të vendosura në program”, thotë Ahmetaj.

Ministri rendit një sërë treguesish, që përmenden edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtarë e që sipas tij, provojnë forcimin e rimëkëmbjes ekonomike.

Mes tyre janë reformat strukturore, rimëkëmbja e inflacionit, strategjia e qeverisë për zgjerimin e bazës së taksapaguesve, rritja e pajtueshmërisë së publikut për pagimin e taksave dhe përmirësimi i administratës.

“Një tjetër certifikim i performancës, një tjetër argument i qartë për suksesin e programit të rimëkëmbjes së ekonomisë dhe konsolidimit fiskal në Shqipëri, një tjetër përgjigje e merituar për ata që nuk heqin dorë nga një skenar grek për vendin”, mbyll reagimin e tij Ahmetaj.

Top Channel