Spanjë, Rahoi nuk siguron dot mbështetjen për mandatin e dytë

01/09/2016 00:00

Mariano Rahoit iu mohua mandati i dytë si kryeministër i Spanjës. Kreu i ekzekutivit spanjoll e humbi përpjekjen parlamentare për të marrë sërish në dorë frerët e Qeverisë.

Dështimi i tij për të siguruar vazhdimësinë e pozicionit të deritanishëm e thellon akoma më shumë krizën politike që ka përfshirë vendin pas dy zgjedhjeve të përgjithshme, nga të cilat nuk është arritur të dilet me një fitues të qartë, ndërsa përpjekje e krijimit të një koalicioni kanë qenë të pasuksesshme.

Rahoi, lider i Partisë Konservatore të Popullit mori mbështetjen e 170 përfaqësuesve në Asamblenë 350 vendëshe, që do të thotë më pak se gjysmën, pasi nuk arriti të siguronte përkrahjen e opozitës.

Gjasat që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të treta parlamentare brenda vitit janë të mëdha. Për marrjen e mandatit të dytë, kreut të qeverisë i nevojiteshin e pakta 176 vota. Socialistët, aleanca kundër masava antikrizë Unidos Podemos dhe partitë e rajonit bask dhe katalonjës, votuan kundër tij.

Shpresat nuk janë fashitur krejtësisht, pasi të premten do të mbahet një votim ku lipset vetëm një shumicë e thjeshtë dhe Rahoi mund të vazhdojë të mbetet kryeministër. Vetëm se në atë rast do të duhej që një apo më shumë parti të tjera të abstenonin.

61-vjeçari erdhi në pushtet në vitin 2011 dhe vishet me meritën e nxjerrjes së ekonomisë spanjolle nga recesioni falë masave të rrepta antikrizë.

Top Channel