Rrjeti i amortizuar në Korçë, 1000 banorë pa ujë

30/08/2016 00:00

Rreth 1000 banorë të fshatit Qatrom në Korçë prej dy muajsh vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa problemi i tyre është i trashëguar prej vitesh.

Mungesa e ndërhyrjeve për mirëmbajtjen e rrjetit ka bërë që situata të degradojë dhe ata të përballen me këtë mungesë jetike. 
Në këto kushte banorët janë detyruar të gjejnë alternativa të tjera për të siguruar ujin e pijshëm, kryesisht në puset e fshatit ndërsa kjo situatë u krijon jo pak probleme në përditshmërinë e tyre.

Në mungesë të ujit ata kanë protestuar në mënyrë paqësore në qendër të fshatit për gati 30 min, duke i kërkuar zgjidhje autoriteteve lokale.

Sipas banorëve linja e ujit që vjen nga Vithkuqi është dëmtuar në disa vende çka i ka lënë ata pa ujë ndërsa në rast se situata nuk zgjidhet ata kërcënojnë se do të bllokojnë rrugën nacionale Korçë-Ersekë.

Nga ana tjetër jashtë kamerave drejtori i Ujësjellës-Kanalizime Korçë, Petrit Tare, sqaron se vetëm prej pak kohesh është marre në dorëzim nga ana e ndërmarrjes linja e ujësjellësit që furnizon fshatin Qatrom.

Kjo linje sipas tij është tejet e amortizuar dhe prej 20 vitesh në të nuk është kryer asnjë punim mirëmbajtjeje. Vetëm ditët e fundit Ujësjellësi ka ndërhyrë në rreth 20 pika të linjës duke riparuar defektet dhe humbjet e ujit.

Tare ka siguruar se ditën e mërkurë banorët e fshatit Qatrom do të furnizohen normalisht me ujë.

Top Channel