Demat sulmojnë banorët, 9 të plagosur në Peru

30/08/2016 00:00

Ishte planifikuar si një ditë argëtimi, por ka rrezikuar të kthehet në një tragjedi. 9 persona mbetën të plagosur gjatë një feste fetare në Peru, pasi demat iu vërsulën turmës së njerëzve.

Festivali në rajonin e Ajakuços zhvillohet në nder të shenjtores Shën Ana dhe përfshin një aktivitet tradicional me dema. Si pjesë e tij, kafshët, të cilave u është lidhur një litar, lëshohen në rrugë dhe pjesëmarrësit duhet të përpiqen të kapin litarin për të kontrolluar demat.

Por, disa prej tyre goditën banorët me brirë, duke hedhur në ajër një burrë, ndërsa disa persona të tjerë përpiqeshin të hutonin kafshën. Fatmirësisht, nuk pati të vdekur.

Përleshja me demat është ende e ligjshme në Peru, por aktivistët po përpiqen ta pezullojnë praktikën e trashëguar nga Spanja.

Top Channel