Lufta për varrimet, eksploziv autobusit të agjencisë funerale

25/08/2016 08:40

Një sasi tritoli shpërtheu orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje në Tiranë. Lënda plasëse iu vendos një autobusi të një agjencie funeralesh në rrugën “Kongresi i Manastirit”, vetëm pak metra larg pediatrisë dhe zyrave qëndrore të Shërbimit Informativ të Shtetit, në kryeqytet.

Fatmirësisht, nga shpërthimi që ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit nuk pati asnjë person të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Nga shpërthimi i fuqishëm u thyen dhe dritaret e një banese aty pranë, ku ishte i parkuar autobusi. Sipas policisë, mjeti përdorej për transportin e njerëzve në ceremonitë funerale dhe ështe në pronësi të shtetasit E. Rexhepi.

Nga kqyrja e kamerave të sigurisë së një biznesi, dyshohet se një i ri me kapele sportive ka vënë tritolin pranë gomës së automjetit, ndërsa lënda është aktivizuar me fitil përcjellës.

Deri më tani, policia nuk ka mundur që të identifikojë asnjë person si të përfshirë në këtë ngjarje, ndërsa dyshohet se shkak i vendosjes së tritolit është konkurrenca.

Nëse kjo del e vërtetë, do ishte hera e parë që konkurrenca e biznesit të vdekjes, zgjedh për luftë pikërisht një mjet vdekjeprurës, siç është shpërthimi me tritol.

Top Channel