Izolimi i të sëmurëve, Spitali: Ne i skedojmë, njoftojmë policinë

18/08/2016 00:00

Rastet si ai i Palases, ku persona të sëmurë mendorë kthehen në kërcënim për komunitetin, duket se nuk parandalohen për shkak të një ngërçi institucional midis spitaleve psikiatrike, policisë dhe gjykatave.

Në Spitalin Psikiatrik në Elbasan, një ndër 4 të tillë në të gjithë vendin, thonë se rastet me rrezikshmëri të larte raportohen gjithnjë tek organet e drejtësisë dhe policisë.

“Situata mbahet nën kontroll me survejimin e stafit, me mjekimin dhe trajtimin e duhur. Natyrisht, njoftohen organet e policisë, u vihet në dispozicion informacioni për personin dhe specifikën e tij”, deklaron Adela Muça, psikologe pranë këtij spitali.

Ndërkohë, nga spitali largohen vetëm rastet e lehta të cilët logjikisht nuk përcjellin probleme në komunitet. Procedura parashikon që në rastin kur ai e kërkon vetë largimin merret gjithnjë miratimi i stafit mjekësor që e ka trajtuar problemin e tij.

“Nëse nuk është i shtruar në kushte të veçanta, ai është i lirë të dalë. Nëse shpreh dëshirën, ai është i lirë të dalë. Gjithmonë, nëse është në momentet e shqetësimit ai është i mbikëqyrur nga stafi”, thotë Muça.

Temperaturat e larta të verës janë faktor për rëndimin e shëndetit mendor, por megjithatë në Spitalin Psikiatrik në Elbasan thonë se nuk ka një situatë e cila kërkon vëmendje më shumë se zakonisht.

Top Channel