Plasja, Panariti: Do kompensojmë fermat e prekura nga sëmundja

15/08/2016 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti urdhëroi të hënën fillimin e lëvizjes së kontrolluar të bagëtive të imta nga fermat drejt thertoreve. Pas urdhrit për ndalimin e lëvizjes së bagëtive për shkak të sëmundjes së dermatozës nodulare, edhe pse në vend u prekën vetëm 300 krerë nga 300 000 gjithsej, Ministria e Bujqësisë vendosi të lehtësojë masat bllokuese.

Ministria njofton se treguesit e sëmundjes janë përmirësuar pas vaksinimit të kafshëve. Më herët, shoqatat e agro-biznesit kërkuan që në qarqe ku nuk ka rrezik aktiviteti në ferma të rinisë normalisht. Ata deklaruan se urdhri i ministrit po favorizonte mishin e importit dhe po çonte në falimentimin e fermave në vend.   
 
Për të folur më shumë për këtë, në studion e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel ishte i ftuar vetë ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Edmond Panariti.

Intervista

Top Channel: Keni urdhëruar fillimin e lëvizjes së kafshëve nga ferma drejt thertoreve. Kur do të fillojë lëvizja drejt tregjeve?

Ministri Panariti: Ajo që po ndodh është pjesë e një plani të hartuar me shumë kujdes, por që do të zbatohet me shumë vendosmëri, pavarësisht nga ndjeshmëritë që mund të ketë nga faktorë të tjerë, shoqatat e agro-biznesit apo individë të veçantë, të cilët e kanë kundërshtuar këtë. Jam i vendosur t’i përmbahem këtij plani që është në dakordësi të plotë me strukturat europiane që merren me kontrollin e kësaj sëmundjeje të rrezikshme dhe për të krijuar një pasqyrë të saktë të dëmeve të kësaj sëmundjeje, duhen parë vatrat e kësaj sëmundje në Veri të vendit, dëshpërimin që ka shkaktuar tek fermerët që janë prekur. Ndaj ky plan do të zbatohet me vendosmëri për të parandaluar përhapjen e infeksionit në pjesë të tjera të pastra të Shqipërisë. Plani ynë lëviz në dy shtylla kryesore, në ndalimin e tregjeve, importit dhe të lëvizjes së kafshëve. Ka qenë një moratorium, jo i improvizuar, por një masë në sinkron të plotë me masat e marra nga BE dhe vendet fqinje. Masat që u morën ishin vaksinimi masiv i kafshëve për të krijuar imunitet dhe për të mos u prekur nga kjo sëmundje. Ka 10 ditë që ka nisur vaksinimi i kafshëve dhe ka nisur të konsolidohet gradualisht edhe imunitetit dhe kjo monitorohet nga shërbimi veterinar. Në funksion të kësaj fillon gradualisht edhe lehtësimi i masave shtrënguese. Hapi i parë, që ka qenë pjesë e planit është lëvizja e bagëtive të imta, që nuk janë të prekura nga infeksioni, por mund të jenë bartëse të infeksionit. Lëvizja e kontrolluar lejohet vetëm brenda qarkut dhe monitorohet nga shërbimi veterinar. Si hap i dytë, me progresin që shpresojmë të jetë pozitiv, pasi po shikojmë që infeksioni ka nisur kurbën e rënies do ta shtrijmë heqjen e moratorimit edhe tek gjedhi, që është targeti i këtij infeksioni. Është një problem shumë serioz, i rrezikshëm dhe mund të shkaktojë një dramë të vërtetë në blegtorinë e vendit. Në vendet ku ka rënë e ka dërrmuar blegtorinë dhe për këtë shihni edhe vendet e rajonit. Dikush që dëshiron të bëjë edhe veterinerin pa qenë veteriner, edhe epidemologun pa qenë epidemolog, do t’i lutesha të frenojë pasi kjo nuk është serioze, pasi për të krijuar perceptimin e dëmeve reale që mund të shkaktojë sëmundja, le të shkojmë tek ata fermerë dhe të shikojmë dëshpërimin. Ne e kemi sfidë për t’i kompensuar që të rimëkëmbin fermat e tyre të rrënuara.

Top Channel: Përfaqësues të biznesit kanë shprehur shqetësimin se ky urdhër po favorizon tregtarët që importojnë mishin nga jashtë dhe po falimenton fermat shqiptare. Pse një masë kaq drastike? Pse nuk pati një diferencim të qarqeve të infektuara dhe me herët?

Panariti: Njerëzit janë të lirë të thonë atë që mendojnë, por masat që ne po zbatojmë janë masa të imponuara në dakordësi me BE. Drejtori i Veterinarisë ka shkuar deri më tani 5 herë në Bruksel, unë do të shkoj në Bullgari në mbledhjen e nivelit të lartë të Ministrave të Bujqësisë, ku të gjithë duhet të përparojnë me detaje për masat e marra, sepse ky është një kërcënim europian, është një sëmundje që po përparon me shpejtësi nga Afrika e Veriut, hyri në Turqi, Bullgari, Greqi, Maqedoni, Kosovë, Shqipërinë Veri-lindore. Nëse nuk zbatojmë me përpikmëri dhe vendosmëri këto masa, ne rrezikojmë të kthehemi në një vatër infeksioni dhe nuk bëhet fjalë vetëm për humbje, por për një bllokim të të gjithë eksporteve.

Top Channel: Keni deklaruar se do të ketë kompensim për fermerët e dëmtuar, ose financiar, ose do t’u zëvendësoni krerët e infektuar që do të groposen. Ka diçka konkrete, sa është dëmi? Kur do të nisë kompensimi dhe si do të bëhet?

Panariti: Së pari, shqetësimi im për momentin është që kafshët e infektuara të asgjësohen, groposen, të fillojë dezinfektimi i fermave të prekura dhe të monitorohet imuniteti në brezat parandalues që ne kemi vendosur rreth zonave të infektuara për të parandaluar shtrirjen e infeksionit në Shqipërinë Perëndimore dhe atë Jugore. Shërbimi Veterinar po bën vlerësimin e dëmeve në bagëti dhe unë jam i vendosur që kompensimi të mos jetë në para. Kompensimi do të jetë në lopë. Paratë nuk shkojnë domosdoshmërisht në rivendosjen e kapaciteteve të humbura. Do t’i japim prioritet kompensimit me kafshë.

Top Channel