Otello i Krutjes, lë pusullë dhe më pas vetëvritet

15/08/2016 00:00

Histori lidhjeje intime, vrasje, pusulla me adresa të lëna pas dhe vetëvrasje.  Ky është skenari i një ngjarjeje të rëndë, me viktima në Kavajë e në Lushnje.  Fillimisht policia ka marrë njoftimin se në fshatin Krutje të Siperme, ishte vetëvrare 65-vjeçari, Sokrat Shani.

Në fillim u duk një vetëvrasje, por njoftimi i policisë se ishte gjetur një viktimë, u pasua me një tjetër informacion: pranë trupit të tij, ishin gjetur 3 letra. Në njërën prej tyre ishte lënë një adresë dhe një emër. Adresa ishte në Golem të Kavajës dhe emri ishte i një vajze.

Letra parashikonte tragjedinë dhe policia e ka zbuluar këtë në  adresën e përmendur në të. E vdekur dhe me shenja dhune në trup,  është gjetur 29-vjeçarja, Jonida Çanaku, banuese në Kryekuq të Divjakës.

Sipas deklarimeve të familjarëve ajo kishte dy ditë që ishte larguar nga banesa. Policia thotë se nga këqyrja e të dyja vendngjarjeve dhe të gjitha provat e mbledhura, rezulton se Sokrat Shani është autor i vrasjes së Jonida Çanaku, me të cilën shoqërohej kohët e fundit dhe sipas policisë kishte një lidhje intime.

Shani dyshohet se e ka mbytur 29-vjeçaren, ndërsa policia ka gjetur edhe 2 letra të tjera, ku Sokrat Shani shkruante se është vetëvrarë dhe ku shpjegon se Jonidën e ka vrarë në kushtet e gjëndjes së rënduar psikologjike.

Mësohet se 65-vjeçari ishte i divorcuar dhe paraprakisht krimin e dyfishtë mund të ketë kryer për shkaqe xhelozie ndaj partneres së tij fatkeqe, 36 vjet më të re se vetja.

Një dramë që ka përfshirë dy fshatra afër njëri-tjetrit dhe një histori e cila me gjasë do përflitet edhe shumë kohë më pas.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel