Çanta e braktisur shkakton evakuimin e Kullës Eiffel. Rezulton alarm fals

05/08/2016 00:00

Kulla Eiffel në Paris është evakuuar vetëm pak pas orës 20 të mbrëmjes së të premtes nga të gjithë turistët dhe parizienët e ndodhur atje, pasi shërbimet e sigurisë pikasën një send të ngjashëm me valixhen të braktisur.

Ka qenë media franceze “BFMTV” që raportoi e para pamjet e vendngjarjes, teksa edhe vizitorë të shumtë nisën të publikonin fotot “online” nga momenti kur policia nisi të rrethonte zonën në hyrje të vendit ikonë të kryeqytetit francez.

Më pas u bë e ditur se ishte thjesht një çantë shpine, ajo që kishte shkaktuar evakuimin masiv. Në vendngjarje pati një prani të theksuar të forcave të sigurisë, ndërkohë që turistët njoftonin përmes mënyrave të ndryshme se forcat ligjzbatuese ndodheshin kudo përreth kullës.

Në hyrje të Kullës Eiffel u shfaqën përveç policëve të armatosur, edhe ushtarë në gjendje gatishmërie. Sipas burimeve të “BMFTV”, evakuimi u krye si masë paraprake për shkak të sulmeve të shumta që kanë goditur Francën në një periudhë thuajse njëvjeçare.

Muajin e kaluar, xhihadistë islamik me thika në duar vranë një prift në kishën e tij në Rouen të provincës së Normandisë. Të dy ata rezultuan t’i kishin premtuar besnikëri Shtetit Islamik. Pas vrasjes, presidenti francez Francois Hollande tha se vendi ishte “në gjendje lufte”.

Më 15 korrik, një tjetër terrorist islamik drejtoi kamionin drejt turmës që po festonte ditën e Bastijes, në Nicë të Francës. Shifrat e përditësuara së fundi flasin për 85 viktima si pasojë e atij sulmi, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Agresori u vra nga policia.

Top Channel