Aksidenti i Velipojës, autopsia përjashton alkoolin. Shtohet përgjegjësia e autoriteteve

04/08/2016 00:00

Autopsia ka shtuar peshën e fajit tek autoritetet sa u takon shkaqeve që çuan në aksidentin vdekjeprurës në Velipojë, ku humbën jetën 4 persona. Sipas burimeve në morgun e Shkodrës, rezulton se asnjë prej tyre nuk kishte konsumuar alkool atë mbrëmje. Ekspertiza thotë se viktimat vdiqen si pasojë e asfiksisë nga uji kur ata përfunduan në kanalin e Hidrovorit në Vilun.

Në këtë pikë duket se arsyet që shkaktuan aksidentin çojnë më afër gjetjes së një fajtori, pasi shkaku kryesor mbetet mosasfaltimi i rrugës dhe mungesa e ndriçimit, shtuar këtu dhe mosnjohjen e rrugës nga drejtuesi i mjetit.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar tha për Top Channel se mungesa e një investimi për segmentin rrugor në fjalë, nuk fajëson institucionin që drejton sepse nuk është nën juridiksionin e tij, gjë që kalon përgjegjësinë e shtrimit dhe mirëmbajtjes së rrugës ku brenda 3 muajve kanë humbur jetën 5 persona, tek pushteti vendor nga i cili nuk ka patur ende asnjë reagim.

Ndërkohë, u identifikua edhe viktima e katërt e këtij aksidenti. Ai është shtetasi italian, Giovanni Sanguedolce, i moshës 36 vjeç, i fejuari i Artenisa Perajt, që humbi jetën në të njëjtin aksident.

Top Channel