Largimi i Ilir Kernit, artistët me peticion

01/08/2016 00:00

Sikundër ndodh për të gjithë të punësuarit, që në këtë periudhë largohen nga vendet e tyre të punës për pushime verore, edhe shumica e artistëve dhe punonjësve të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ishin nisur për pushime pas një sezoni artistik të ngarkuar.

Por ata janë kthyer këtë të hënë sërish në ambientet e TKOBAP-së për të shprehur mbështetjen ndaj drejtorit të këtij institucioni, Ilir Kerni, pas lajmit se ai ka paraqitur dorëheqjen nga ky post.

Artistët kanë firmosur sot një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama, me kërkesën për të mos pranuar dorëheqjen e drejtorit të tyre, të cilin e kanë cilësuar si një njeri të pastër, me parime dhe që ka arritur të mbajë larg TKOBAP-së deri më tani pandershmërinë, mediokritetin, nepotizmin dhe klientelizmat.

Duke kërkuar rikthimin e tij në detyrë, artistët e kanë vlerësuar për kontributin e vyer dhe për shembullin e pakrahasueshëm motivues. Siç mësohet, janë gati 80% e artistëve që e kanë firmosur këtë peticion. Një pjesë e mirë e tyre nuk ka mundur të firmosë vetëm për arsye të mosndodhjes fizike në Tiranë, por në mungesë kanë kërkuar të jenë pjesë e këtij peticioni me anë të telefonatave dhe mesazheve të shumta.

E pavarësisht dëshirës së vet artistëve, Ministria e Kulturës ka bërë të ditur përmes një deklarate për shtyp se, dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të TKOB-së është një akt individual vullnetar dhe si i tillë nuk mund të komentohet. Megjithatë, ministria në fjalë ka vlerësuar ish-drejtorin Kerni për kontributin e dhënë në krye të TKOB-së.

Në deklaratë, Ministria e Kulturës u drejtohet edhe artistëve, të cilëve iu thotë se “në mbyllje të sezonit të dytë artistik të vitit 2016 do të fillojë puna për rikonstruksionin e teatrit dhe trupat do të vijojnë të plota  dhe krejt njësoj jetën koncertale për një kalendar të ri artistik, në skenat e tjera të Tiranës apo qyteteve të tjera të Shqipërisë”.

Ja deklarata e plotë për shtyp:

Drejtori i përgjithshëm i TKOBAP, Z. Ilir Kerni, paraqiti të premten kërkesën për dorëheqje nga detyra. Ministria e Kulturës konsideron se dorëheqja është një akt individual vullnetar dhe si i tillë nuk komentohet.

Historia e një Teatri ndërtohet nga brezat e artistëve që performojnë në të dhe nga gjurmët që lënë drejtuesit e tyre, në ‘murin’ e Teatrit, përfshi edhe kontributin e rëndësishëm tre-vjeçar të Z. Ilir Kerni.

Teatri Kombëtar  i Operas dhe Baletit dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, në vijim të reformës së kryer në institucionet skenike kombëtare; falë punës së jashtëzakonshme të trupave; jo vetëm të traditës, por edhe të prurjeve të reja shumë të fuqishme në këto vite, i  ka sjellë skenës shqiptare ngjarje të mëdha kulturore, ka hapur dyert për artistët shqiptarë të suksesshëm në botë; ka disafishuar numrin e shfaqjeve dhe ka nderuar Shqipërinë në skenat  ndërkombëtare.

Tashmë TKOBAP përgatitet për një sfidë të re në menaxhim.

Pas një viti pune intensive projekti I rikonstruksionit u miratua nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit  dhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Në mbyllje të sezonit të dytë artistik të vitit 2016 do të fillojë puna për rikonstruksionin e teatrit, ndërsa  trupat do të vijojnë të PLOTA  dhe krejt njësoj jetën koncertale për një kalendar të ri artistik në skenat e tjera të Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë. Kjo do të jetë sfida e re për artistët dhe drejtuesin e ri të TKOBAP, që do të dalë nga procesi përzgjedhës që parashikohet nga ligji për artin dhe kulturën”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel