Pukë, asgjësohen 400 rrënjë kanabis. Dy në pranga, kapen armë e municione

31/07/2016 00:00

Policia e Pukës ka mundur të vërë nën pranga dy persona, të akuzuar për veprat penale të “kultivimit të bimëve narkotike”, “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve”, si dhe “drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt”.

Arrestimet janë kryer në valën e operacionit të koduar “Gjegjan”, teksa gjatë tij janë zbuluar dhe asgjësuar 400 rrënjë kanabis sativa, të mbjella në dy parcela në një zonë të pyllëzuar të fshatit Gjegjan.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit Qani Hamzaj, 39 vjeç, si dhe Arjan Nikolli, 30 vjeç, të dy banues në Tiranë. Atyre iu është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një armë zjarri automatike model 56, dy karikatorë me 51 fishekë, një motoçikletë e modifikuar pa targa e dokumente, si dhe një automjet tip fuoristradë e tipit Land Rover pa targa.

Akuza e kultivimit të bimëve narkotike bie mbi të dy shtetasit e arrestuar, ndërsa Hamzaj akuzohet më tej për “mbajtje pa leje të armëve e municioneve”, kurse Nikolli për “drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt”.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel