Himarë, digjet skafi në det. Shpëtohen dy personat në bord

25/07/2016 00:00

Dy persona u shpëtuan mesditën e kësaj të hëne, ndërsa skafi me të cilin kishin dalë në det në zonën e Himarës mori flakë.

Pushuesit në zonën e Potamit na raportojnë në rubrikën “Ti Raporton”, se një skaf me disa persona në bord kishte marrë flakë.

Në drejtim të mjetit që po digjej është nisur një gomone dhe një motor uji, duke marrë prej andej dy persona, të cilët ishin hedhur në det për t’u shpëtuar flakëve që pushtuan mjetin. Personat janë transportuar në Portin e Himarës.

Sipas Policisë Kufitare të Vlorës rezulton se skafi me emrin “Liburnët” ka dalë nga Porti i Himarës në orën 11 e 50 minuta, nën drejtimin e shtetasit Altin Bejko nga Durrësi, e me pasagjer shtetasin Dorjan Danaj po nga Durrësi.

Ata i treguan Policisë Kufitare, e cila i evakuoi, se 200 metra larg bregut, në zonën e gjirit të Filikurit në Himarë, atyre i është fikur motori dhe, ndërsa janë përpjekur ta ndezin, mjeti ka shpërthyer në flakë.

Të dy të evakuuarit janë në Himarë pa asnjë dëmtim. Ndërsa mjeti i tyre i shtyrë nga dallgët ka dalë në breg, ku ka vijuar të digjet.

Top Channel