Shkodër, makina në humnerë, plagoset rëndë drejtuesi

23/07/2016 00:00

Një automjet tip fuoristradë ka rënë paraditen e sotme në një humnerë 20 metra, përgjatë aksit rrugor Shkodër-Koman, në vendin e quajtur Qafa e Komanit.

Në automjetin tip “Land Rover” me targë “AA 126 KR” ndodhej vetëm drejtuesi, shtetasi me inicialet Z.L, 22 vjeç nga Shkodra, i cili ka marrë plagë të rënda dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Ndihma e parë të aksidentuarit i është dhënë nga disa kalimtarë dhe më pas nga shërbimet e policisë. Menjëherë më pas i plagosuri është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Nga hetimet paraprake dyshohet që shkak i këtij aksidenti të jetë bërë pakujdesia e drejtuesit të mjetit.

Top Channel