Bashkëjetesa në komunitet, bashkia do të emërojë administratorët e pallateve

20/07/2016 00:00

Edhe pse ka një ligj për të rregulluar bashkëjetesën në komunitet askush nuk e zbaton atë dhe qytetarët hasin probleme të shumta në pallate e ambiente të përbashkëta.

Jo të gjithë paguajnë për pastrimin e shkallës, për ndriçimin apo mirëmbajtjen e ashensorit edhe në rastin e pallateve të reja kur kanë një administrator.

“Disa paguajnë, disa s’paguajnë ashensorët”, tregon një banor. “Kanë njerëz me aftësi të kufizuara që duhet të përdorin ashensorin, ka njerëz me biçikleta, por prapë se paguajnë ashensorin”, tregon një tjetër.

Në pallatet e vjetra banorët nuk e kanë marrë mundimin të caktojnë një administrator. “Është pallat i vjetër, nuk kemi administrator. Si i zgjidhim problemet? Me sherre, zihen gratë”, thotë me shaka një banor, i cili shton se “pastron kush të ketë mundësi”.

Bashkia e Tiranës këtë vit do të nisë një proces për të zgjedhur administratorët për çdo pallat me qëllim disiplinimin e bashkëjetesës në komunitet.

“Ne do të fillojmë një proces duke filluar nga kjo vjeshtë ku në çdo pallat bashkia do të bëjë njoftimin, të gjithë banorët e atij pallati janë automatikisht anëtarë të asamblesë, votojnë kryesinë 3-5 vetë. Kjo kryesi mandatohet nga banorët që të lidhë kontrata, të intervistojë, të caktojë çmimet, tarifën që paguan secili dhe të caktojë një administrator në një marrëdhënie kontraktuale”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Askush nuk do të mund të mos paguajë detyrimin, qoftë qeraxhi apo pronar i banesës tek administratori pasi do të ketë penalitete.

Top Channel