Shkatërrohet rrjeti i drogës në Itali, pranga edhe 3 shqiptarëve

20/07/2016 00:00

Angazhoi rreth 300 forca të policisë dhe karabinierëve operacioni “Të paprekshmit” i kryer në provincën e Frosinones, në afërsi të Romës. Me ndihmën e helikopterëve dhe reparteve me qen janë kryer kontrolle të shumta dhe janë arrestuar 36 persona, ndër të cilet tre shtetas shqiptarë.

Hetimet kanë filluar që në vitin 2012 dhe gjatë kësaj periudhe forcat e rendit kanë zbuluar e shkaterruar disa baza të shitjes së drogës së llojeve të ndryshme. Ato ishin kthyer në supermarketë të drogës, të hapura 24 orë dhe të ruajtura më së miri me një sistem të kolauduar alarmi nëse afroheshin forcat e rendit.

Shpërndarja jashtë provincës ishte në duart e një rrjeti shqiptar dhe hetuesit bëjnë të ditur se ky është një sistem i ngjashëm me atë të përdorur në zonat më të vështira të Napolit.

Organizata kriminale kishte shtatë kanale furnizimi me droga të llojeve të ndryshme për të plotësuar kështu kërkesat e një numri sa më të madh përdoruesish.

Gjatë kontrolleve përveç lëndëve narkotike, u gjetën edhe laboratorë të sofistikuar, shuma të mëdha parashë, armë e municione.

Top Channel