Vasili: Progres i rëndësishëm drejt konsensusit

19/07/2016 00:00

Në përfundim të punimeve të komisionit të posaçëm mbi reformën në drejtësi, përfaqësuesi i LSI, Petrit Vasili, konfirmoi se grupi parlamentar i LSI-së do të votojë ‘pro’ draftit të ndryshimeve kushtetuese të përgatitura e të cilat janë miratuar tashmë nga komisioni.

Ai vuri në dukje një progres të rëndësishëm drejt konsensusit, duke shtuar se palët kanë qenë më afër se kurrë në pikëpamjet e tyre.

Vasili deklaroi gjithashtu se me miratimin konsensual të reformës, forcat politike i japin mesazh shqiptarëve që ato, përkundër dallimeve, dinë të dalin mbi interesat e tyre e të realizojnë një proces të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

Petrit Vasili: Ky është një moment për të rikonfirmuar qëndrimet tona. Ju konfirmoj edhe njëherë që grupi parlamentar i LSI-së do të votojë ‘pro’ draftit të ndryshimeve kushtetuese të përgatitura dhe të cilat janë miratuar tashmë nga Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi. Në këtë moment të veçantë është e rëndësishme të vëmë në dukje një progres të rëndësishëm, thelbësor drejt konsensusit dhe pikërisht në funksion të këtij angazhimi maksimal për konsensus kreu i Kuvendit, Meta, kas pasur pak më parë një komunikim të gjatë telefonik me Hahn. Kjo reformë, e cila garanton stabilitetin e vendit, është e rëndësishme edhe për rajonin pasi dihet roli i Shqipërisë në rajon. Pas një procesi të gjatë, të komplikuar edhe gjerësisht të debatuar po shkojmë në një rrugë pozitive e cila formon konsesualitetin e shumëpritur dhe realizon atë formë konsensuale që gjithnjë e kemi dashur por që respekton mendimet e “Venecias”. Me miratimin konsensual i japim mesazh shqiptarëve që forcat politike përkundër dallimeve dinë të dalin mbi interesat di të realizojë një proces të rëndësishëm për të ardhmen e tyre. Ju e dini që dy momente të vogla janë akoma negocim e sipër por i quaj të vogla pasi janë të kapërcyeshme. Angazhim i komisionerit Hahn dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, kanë qenë influenca shumë pozitive në mënyrë që konsensualiteti të eci përpara dhe të miratojmë reformën pasi frytet e saj i gëzojnë shqiptarët. Procesi i ngjizjes së konsensusit është intensiv, besoj shëndetshëm dhe besoj që jemi afër zgjidhjes më pranë se kurrë.

Top Channel