Ku ngeci reforma? “Vetting”-u, pikat ku ndahen palët

19/07/2016 00:00

A duhet të jetë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, një institucion me kompetenca kushtetuese? Kjo është një nga dy pikat e asaj që Lulzim Basha e quan marrëveshje të prishur.

Sipas Bashës, negociatorët ranë dakord që roli i vëzhguesve të huaj të rregullohej me një nen kushtetues, nëpërmjet ratifikimit në Parlament të një marrëveshjeje dhe opozita pranoi të shtohej edhe një garanci tjetër kushtetuese.

“Edhe marrëveshja ndërkombëtare e ratifikuar nga Parlamenti i Shqipërisë, që përcakton funksionet e misionit ndërkombëtar të monitorimit, nuk mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur Basha.

Sipas Lulzim Bashës, marrëveshja u prish kur ajo ishte gati për t’u firmosur, me një arsyetim që ai e quan absurd.

“sepse mund të bëhen ankime në Gjykatën e Strasburgut. Dhe po shkoi në Strasburg ne duhet të jemi besimplotë që zgjidhja jonë është e drejtë dhe është ligjore. Sepse po e hodhën ata poshtë na rroftë reforma në drejtësi kundër normave të Strasburgut”, deklaroi Basha.

Lulzim Basha nuk e tha se kush nuk ra dakord përfundimisht me këtë zgjidhje, por më herët kryeministri Rama kishte dhënë një adresë.

“Por vija e kuqe e SHBA-BE ka rezultuar e pakapërcyeshme për pretendimin e Partisë Demokratike”, ka thënë Rama.

Pika tjetër që mban peng kompromisin është këmbëngulja e ekspertëve të huaj për të pasur të drejtë të fshijnë kandidatë nga listat, pa dhënë shpjegime.

“Të bëjnë një gjyq publik pa fakte, pa argumente të mbështetura në ligj. Kjo është e papranueshme, është një standard i denjë vetëm për juntat ushtarake dhe për asnjë shtet ligjor. E vetmja arsye, por që s’ka lidhje me reformën në drejtësi, është që dikush nuk e do reformën me votat e opozitës. Ai dikush dhe kushdo që i qëndron prapa do të marrë faturën e plotë para opinionit publik shqiptar, sepse opozita i ka gati votat”, është shprehur Basha.

Variantin e deklaruar nga kreu i opozitës e mbështeti me një mesazh negociatori i LSI-së, Ylli Manjani. Ndërsa kreu i Kuvendit foli për domosdoshmërinë e transparencës.

“Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë dhe opinioni publik shqiptar kudo që ndodhet kanë nevojë të njihen me përmbajtjen e këtyre diskutimeve, si dhe me vendimmarrjen që rrjedh prej tyre. Populizmi nuk është transparencë”, deklaroi Meta.

Top Channel